“The British School of Kosova” operon edhe me klasë ndërkombëtare, në nivelin e mesëm të lartë, ku mësimi zhvillohet në gjuhën angleze, nga mësimdhënës ndërkombëtarë apo vendorë me përvojë ndërkombëtare. Qëllimi i organizimit të këtij programi të veçantë shkollor, me model britanik, lidhet me nevojën e përgatitjes së fëmijëve tanë për ta sfiduar të ardhmen në shkencë, kulturë dhe arte të niveleve ndërkombëtare.
Me qëllim të përgatitjes për sfidat e shekullit 21 dhe epokën e globalizmit, shkolla për nxënësit e vet ka krijuar kushte solide, që janë garantuese se duke punuar me të tashmen, ata do të jenë zotëruesit e së ardhmes. Metodologjia e mësimdhënies në këtë nivel gërsheton teorinë dhe praktikën, studimin dhe kritikën, analizën dhe reflektimin, që janë çelësi i suksesit përmes të cilës nxënësit tanë do të jenë bartësit e ndryshimeve në shoqërinë tonë.
Duke kaluar nëpër të gjithë këta mekanizma filtrues, qëllimi ynë është që në të ardhmen të krijojmë nxënës, profesionistë, qytetarë, që tronditin me thellësinë e mendimit dhe të habitin me modestinë e veprimit.